A. Njohuri elementare
1. Sëmundja ishemike e zemrës njihet edhe si sëmundja e koronareve.
2. Koronaret janë enët e gjakut që furnizojnë me gjak vetë zemrën; ka 3 enë të mëdha koronare: koronarja e djathtë, koronarja cirkumflekse e majtë, dhe koronarja interventrikulare e përparme.
3. Në sëmundjen ishemike të zemrës enët koronare ngushtohen për shkak të ateromës.
4. Ngushtimi i koronareve bën që zemra të mos furnizohet dot mirë me gjak, sidomos gjatë sforcimit.
B. Faktorët rrezikues
1. Faktorët e mëdhenj.
a. Diabeti i sheqerit
b. Duhani
c. Hipertensioni
d. Hiperkolesterolemia
e. Historia familjare e sëmundjes ishemike
2. Faktorët e vegjël: dhjamosja, mosha, mungesa e estrogjenit (meshkujt dhe femrat në menopauzë), homocystinuria.
3. Ndalimi i duhanit është shumë i rëndësishëm.
4. Diabeti është faktori më i rëndësishëm. Nuk dihet nëse kontrolli i përkryer i glukozës në gjak e vonon sëmundjen ishemike të zemrës; por dihet që kontrolli i glukozës e vonon sëmundjen mikrovaskulare (p.sh. retinopatinë diabetike).
5. Prania e proteinës të njohur si Lp(a) (një lipoproteinë e gjakut që ngjan me plazminogjenin) paraqet gjithashtu rrezik për shkak të tendencës për të formuar trombe.
C. Angina e qëndrueshme
1. Shkaktohet nga ateroskleroza; ngushtimi nga ateroma bën që gjatë sforcimit zemra të mos mund të furnizohet me aq gjak sa i duhet.
2. Shenjat e simptomat: dhembje si shtrëngim në gjoks që përhapet tek krahu i majtë, tek nofulla e poshtme, në shpinë, etj. Dhimbja lehtësohet nga pushimi dhe nga nitroglicerina. Në EKG shihet ulje e segmentit ST dhe përmbysje e valës T.
3. Simptomat klasike si më sipër shpesh nuk vihen re tek diabetikët dhe tek të moshuarit (për shkak të neuropatisë).
4. Diagnoza është klinike dhe bazohet në simptomat si më sipër, dhe praninë e faktorëve rrezikues; angiografia e vendos diagnozën përfundimisht.
5. Trajtimi i anginës – shih tabelën më poshtë
Tabela 1. Trajtimi i anginës.
Trajtimi akut
Parandalimi
Trajtimi angioplastik
Trajtimi me operacion
D. Angina e paqëndrueshme
1. Simptomat janë si të anginës të qëndrueshme, por janë më të shpeshta, ndodhin me sforcim fizik më të pakët, ose edhe pa lëvizur fare.
2. Angina e paqëndrueshme shkaktohet nga bllokimi kalimtar i koronareve prej trombeve që formohen mbi ateromë; në qoftë se trombet shkrihen kemi të bëjmë me anginë të paqëndrueshme, nqs trombi nuk shkrihet zemra pëson infarkt.
3. Gjatë anginës të paqëndrueshme në EKG shihet ulje e segmentit ST dhe sheshim i valës T; nqs më pas shihet ngritje e segmentit ST pacienti po pëson infarkt.
4. Enzimat e zemrës (CK-MB, troponina) nuk janë të ngritura zakonisht.
5. Trajtimi duhet të jetë i shpejtë e i fuqishëm për të parandaluar infarktin
a. Heparinë intravenoze dhe aspirinë; aspirina duhet të vazhdohet edhe pasi pacienti del nga spitali.
b. Nitroglicerinë
c. Beta-bllokues
d. Pasi të stabilizohet, pacienti duhet t’u nënshtrohet analizave (provës të biçikletës, etj.) dhe pastaj të vendoset nëse trajtimi do jetë me barna, me ballon, apo me operacion.
E. Infarkti i miokardit
1. Infarkti zakonisht është pasojë e trombozës brenda enës ateromatoze.
2. Shenjat e simptomat: dhimbje shumë e fortë në gjoks që ndjehet pas dërrasës të krahërorit si dhimbja e anginës, por që nuk lehtësohet nga moslëvizja; djersitje, pështjellim e të vjella, takikardi ose bradikardi, vështirësim i frymëmarrjes.
3. Diagnoza vihet kur plotësohen 2 nga këto 3 kushte:
a. Në EKG shihet ngritje e segmentit ST, sheshim/përmbysje e valës T, dhe Q të thella.
b. Enzimat kardiake janë të rritura: troponina I ose CK-MB + mioglobina; troponina I fillon dhe rritet më herët (4 orë pas infarktit) dhe është më specifike, dhe po aq sensitive sa CK-MB.
c. Klinikisht shihen shenjat dhe simptomat e infarktit.
4. Trajtimi = rihapje e enës të bllokuar
a. Me ilaçe: tromboliza bëhet brenda 6 orësh; ilaçi më i mirë është tPA + heparinë; streptokinaza është më e lirë.
b. PTCA (balloni) është metodë më e mirë sepse e hap mekanikisht enën e bllokuar dhe i lëshon medikamentet trombolitike tamam mbi tromb.
c. Operacioni rrallë bëhet në infarkt akut.
5. Tjetër:
a. Gjithmonë aspirinë; është provuar që aspirina ul vdekshmërinë.
b. Beta-bllokuesit gjithashtu janë provuar që e ulin vdekshmërinë.
c. Statinat për të ulur kolesterolin; është provuar se ulja e LDL-së nën 100 pas infarktit e ul vdekshmërinë.
d. Heparina duhet të vazhdohet për 48 orë pas infarktit nëse për trombolizë përdoret tPA-ja; nëse përdoret streptokinaza ose nëse nuk bëhet fare trombolizë dobia e heparinës nuk është e sigurtë.
e. Oksigjen e morfinë.
f. Nitroglicerinë.
g. Bllokuesit e ACE-s janë barna të shkëlqyera ato ulin pasngarkesën dhe parandalojnë rimodelimin e miokardit.
h. Ushtrimi fizik forcon zemrën, rrit HDL-në.
i. Duhani duhet ndaluar.
9 shkurt 2003