Dje më thirri Priami. Ishte i ngrysyr. Qeskat e syve, për të cilat ankohej aq shumë skulptori i pallatit gjatë kohës që i bënte bustin e fundit, i vareshin më keq se çdo herë. S’e kisha parë kurrë aq të dërrmuar.
E folura e tij ishte e lodhur, e turbullt.
Laokoont, më tha, ti duhet ta kuptosh vetë gjithë këtë që po ndodh me ty…
Nuk e dija se ç’ndodhte me mua dhe aq më pak se ç’duhej të kuptoja. Megjithatë nuk i bëra asnjë pyetje, me shpresë se do ta sqaronte vetë.
Më në fund e mora vesh. Ishte fjala për ca letra, shumica anonime, kundër meje.
Por kjo s’është hera e parë, madhëri, i thashë.
Ai u kthye vrulltas.
Këtë herë është ndryshe, Laokoont, thirri me zë të ngjirur.
Nuk di si u përmbajta pa i thënë: mjaft me këtë histori të mërzitshme. Në qoftë se doni paqe me grekët, bëjeni. Vëç votën time s’do ta keni kurrë.
Ai vazhdoi të fliste po aq turbullt si edhe më parë. Më tha se përherë e më vështirë e kishte të më mbronte dhe pyetjes sime se nga kush duhej të më mbronte, nuk iu përgjigj.
Këtë herë është ndryshe, Laokoont. Nuk më hiqeshin nga mendja këto fjalë edhe pasi u ndava me të.
Pasdite, në mbledhje të qeverisë, pata përshtypjen se takimi ynë qe marrë vesh. Sytë e kundërshtarëve të mi ishin më zhbirues se kurrë. Por unë s’e bëra veten. Madje, u duk se u habitën pak nga toni im i ashpër kur e pyeta shefin e policisë se a ishin gjetur më në fund ata që kishin vënë shenja në portat e mjaft trojanëve dy javë më parë. Kur ai u përgjigj “ende jo”, unë gati sa nuk i ulërita: “Përse?”.
Shenjat e bardha me shkumës në shumë porta ishin shpjeguar si një dëshmi se krahu pro-grek në Trojë sa vinte bëhej më i çartur, dhe ato shenja mund të merreshin fare mirë si provë e përgjithshme për një masakër të mundshme.
E mora vesh, më në fund, përmbajtjen e letrave anonime. Ishte pak a shumë ajo që prisja. Akuzohesha si armik i paqes, pra shkaktar i vuajtjeve të trojanëve etj etj. Kërkohej në to dorëheqja ime. Por kjo është më e pakta. Kam përshtypjen se kërkohet më shumë. Një proces ndoshta. Burgu, madje pse jo dhe vdekja.
Sot në mbledhjen e qeverisë u shtrua prapë çështja e bisedimeve të paqes me grekët. Unë, si edhe më parë, mbajta të njëjtin qëndrim. Kushtet e paqes duhet të diktohen
(mungon nje pjese)
mërzinë e luftës. Shtoji kësaj pakënaqësinë e vet popullit grek që pret kthimin e djemve të tij. Kemi të dhëna se disa nga prijësat grekë, ndonëse e mbajnë të fshehtë, e kanë humbur ndërkaq pushtetin në vendet e tyre. Duke nisur nga vetë kryekomandanti Agamemnon, nga Odiseu e, me siguri, edhe të tjerë.
Fjala ime u dëgjua në heshtje.
Një ditë e keqe. E prisja padyshim goditjen, por kursesi nga ai drejtim që më erdhi.
Fëmijët.
I gjeta në shtëpi duke qarë. I kishin përjashtuar nga shkolla. Shkaku: një rrahje me shokët e klasës. Dikush u kishte thënë: “Babai juaj është tradhtar, po merr në qafë Trojën”. Kaq kishte mjaftuar që të kacafyteshin.
Pasdite mora letrën e parë kërcenuese: Po s’hoqe dorë, ne do të të vrasim. Do të hapim fjalë se të vranë grekët, por dije, varrin do të ta bëjmë ne. Që të të duket me i zi.
Tani është e qartë se ç’kërkohet prej meje. Të pranoj publikisht gabimin. Siç duket, kanë nevojë për votën time në këtë fazë të re.
Ndaj të ngrysur mora letrën e dytë, pak a shumë në të njëjtën frymë. Por si të parën, si të dytën nuk ia tregova askujt.
Fjalët e Priamit se e kishte përherë e më vështirë të më mbronte, s’më hiqeshin nga mendja. Gjithçka paskësh qenë e përllogaritur më mirë se ç’mendoja.
Shi i mërzitshëm. Troja qysh tani më ngjan e humbur. Delegacioni grek i paqes u pranua. Nesër do të bëjmë të ditur emrat e pjesëtarëve. Pasnesër vijnë.
Të gjitha këto i mora vesh nga goja e vetë Priamit. Më thirri që pagdhirë për të më njoftuar vendimin e tij që të kryesoja delegacionin trojan. Eshtë e tepërt të them se mbeta i shtangur. Por jo vetëm unë. Gjithë Troja. Ngjarja u shpjegua dy mënyrash: që Priami e ashpërsoi qëndrimin ndaj grekëve. Që Laokoonti e zbuti atë.
Unë vetë s’besoj në asnjërën.
Gjithë natën më duhet të punoj për projekt-marrëveshjen. Nesër Priami do të me presë përsëri.
Mbledhja e parë e delegacionit të paqes u ndërpre pa filluar mirë. Grekët ikën të zemëruar në rezidencën e tyre.
Tërbimi i Priamit kundër meje qe i papërfytyrueshëm. Fjalët “i pabesë”, “premtimshkelës”, “ti mezi ç’pret rrënimin tim”, ishin më të butat që u përdorën. Më kot u përpoqa t’i shpjegoja se në këtë rast s’kisha asnjë faj për acarimin e tyre. Se u tregova i duruar, madje tepër i duruar, por ata e kishin vendosur qysh më parë që të shkaktonin grindje për të arritur heqjen time. Se shkas për këtë gjetën ndërhyrjen time “edhe trojanët kanë vuajtur”, që e morën gjoja për provokim, fyerje të gjakut të derdhur grek e ku ta di unë çfarë. Më kot pra u përpoqa t’ia shpjegoja këto, duke shtuar se e gjithë kjo ngjante si e përllogaritur qysh më pare, se edhe zemërimi i tyre qe i pavërtetë, më tepër teatër se zemërim, por Priami s’donte të dëgjonte. Madje një herë m’u duk se ai gjithashtu lozte teatër me mua. Ato britma të marra, ai zë kokëbuçitës që ia kisha dëgjuar veç nëpër festa kur i drejtohej ushtrisë… O zot, mendova, po çmenden të gjithë apo jam unë që po lajthit?
Pasdite vonë mora letrën e tretë. Më të tmerrëshmen e të gjithëve: jo ty, por fëmijët do të t’i vrasim në fillim.
Fill pas letrës, në oborr të shtëpisë më hodhën dy gjarpërinj të ngordhur. Ishte fare e qartë se grekët po vepronin lirisht mu në mes të Trojës.
Me letrën në dorë u turra te Priami. Dënomë mua, desha t’i thosha, hidhmi prangat, kryqëzomë, veç shpëtoje Trojën.
Por ai nuk më priti.
Dekreti për shkarkimin tim si shefi i palës trojane në bisedime, doli që pa gdhirë. Goditja tjetër erdhi në mesditë, në mbledhjen e qeverisë, nga një drejtim i papritur: çështja e Thremohut.
Kur unë thashë se e kishim sqaruar një herë atë, shumë zëra më ndërprenë. Si mund të mbyllet kaq lehtë një gjë kaq e tmerrshme? Poeti i parë i Trojës, autori i “Ylliadës”, arratiset te hitittët dhe ne e kalojmë gjithçka si një lodër?
Desha të ndërhyj për të thënë se ata e dinin mirë se Thremohu nuk u arratis, por u lejua të shkojë te hitittët, por ata bërtisnin kaq shumë saqë ishte i pamundur çdo sqarim. E aq më pak ishte e mundur t’ia kujtoje se ata dinin madje edhe arsyen përse u lejua të shkojë ose, më saktë, përse u dërgua Thremohu te hitittët: që të regjistronte në pllaka argjili poemën e tij. Dhe kjo me qëllim që, në rast rënieje të Trojës, që Zoti mos e dhëntë, t’i mbetej së paku botës një dëshmi për të.
Isha gati ta risqaroja çështjen fill e për pe. Përse te hitittët? Sepse hitittët ishin të vetmit deri atëhere që përdornin shkrimin në pllaka argjili. E përse në pllaka të tilla mund të pyeste një tjetër. Sepse, pasi piqen, ato janë të pashkatërrueshme nga armiku më i madh i dorëshkrimeve, zjarri. Së fundi, përse gjithë ky ngut? Sepse kur çdo ditë e Trojës mund të ishte e fundit ditë e saj, nuk mund ta lije “Ylliadën” vetëm në zërin dhe mushkëritë e një njeriu.
Mund të sqaroja edhe gjëra të tjera, por më kapi befas një mospërfillje për gjithçka. Veç kësaj, e ndieva se ata vetë nuk donin asnjë sqarim. Ata vetëm bërtisnin: Kjo është e palejueshme, kjo është tradhti, dhe sa më shumë klithnin aq më tepër tërboheshin.
Së fundi, kur u vendos njëfarë qetësie, njëri prej tyre më bëri pyetjen plot helm se a ishte e vërtetë që edhe më parë kisha qenë mbrojtësi i Thremohut?
U përgjigja se e kisha mbrojtur vërtet poetin nga sulmet, dhe jo vetëm nuk pendohesha për këtë, por isha krenar. Dhe kjo për dy arsye: e para se ai ishte poeti i parë, pra krenaria e Trojës, dhe e dyta se akuzat kundër tij kishin qënë pa baza.
Arratisja tregon se akuzat kundër tij kishin qenë të drejta, më ndërpreu ministri i thesarit, që hiqej si njohës i poezisë. Thremohu është kritikuar disa herë se në poemën e tij jo vetëm nuk ka urrejtje të mjaftueshme kundër armiqve tanë — grekëve, por përkundrazi, ka herëpas here keqardhje për ta. Ç’i thoni ju kësaj?
Iu përgjigja se këto ishin çështje të artit në të cilat ne politikanët nuk duhej të përziheshim. U bë prapë zhurmë dhe zbrazëtira më kapëlloi më keq se më parë.
Ka ditë që ndodhem i mbyllur në shtëpi. S’kam të drejtë të dal, as të flas me askënd. Urdhërin e paska dhënë vetë Priami. Flitet se paskësh thënë: mjaft e duruam Laokoontin. Po nuk e mbylli gojën, do të detyrohemi t’ia mbyllim ne.
Çdo ditë e ndiej se shpresat pakësohen. Rrugët mbyllen njëra pas tjetrës. Qysh tani e ndiej veten të lidhur këmbë e duar. Por më e tmerrëshmja e të gjithave qënkësh lidhja e gjuhës. Ai thotë: do t’ia mbyllim gojën. Por, ndërkaq, e ka bërë këtë. Unë s’jam veçse një i ngurosur. Një mumje egjiptiane. Madje më keq, sepse thonë se edhe nga shprehja e mumjes diçka mund të kuptosh për çastet e fundit të njeriut. Kurse unë do të humb në terr. Bashkë me të vërtetën.
Ndërkaq, me siguri ata po përhapin kudo gënjeshtrën e tyre. Që Laokoonti u ngrit kundër interesave të Trojës. Që trojanët, pasi e braktisën, e dënuan rreptë. Dhe që hyjnitë bënë të njëjtën gjë.
Ditë shiu. Mërzi. Dje u bë martesa e Dejfobit me Helenën. Një dasmë apo më saktë një zidasmë e çuditshme. Për shkak të parandjenjave të këqija që s’më ndahen, çdo festë më ngjan e përzishme.
Hyjni, shpëtojeni Trojën! Kam një ankth në gjoks që s’më shqitet. Nga dritarja shoh përgatitje të tjera feste. Siç duket, bisedimet po përparojnë dhe së shpejti do të nënshkruhet paqa.
U bëftë kjo vërtetë, pa le të mallkohem unë, le të dënohem e të përbaltem.
Fëmijët më thanë dje se mu përballë portës Sikse, grekët po ngrenë diçka. Një gërdallë prej druri që i ngjan një kali. Ose fëmijëve u kanë bërë sytë, ose grekët janë çmendur. Ose sytë dhe trutë e të gjithëve janë turbulluar.
Tani e vetmja gjë që më ngushëllon është mendimi për Thremohun. Së paku, ai është larg çdo rreziku dhe në pllaka të pavdekshme vendos poemën. Atje të vërtetën për Trojën s’e dhunon dot askush.