Franc Jozefi n’divanhane:
“Padishah, pashë jetën tande,
Mos me t’keq me i marrë shqiptarët,
Mos me u lëshue n’qafë pashallarët,
Që me i prishë e kështu me i çartë,
Si tash s’voni ia ke hi
N’atë të mjerën moj Malsi:
Se, mana, këta po i’n do njerz
Që po i more tepër terz:
Me çka m’ndan neshtrasha mue:
S’kanë me u pritë, jo, pa trazue,
Pa t’i qitë do t’çame krejet.
Se ti këta, dije prej mejet,
Fort për hajr, ndoshta, s’i ke,
E ma lirë i shet se i ble:
Se as për hajr, drue, nuk kanë le;
Veç se, besa, sa për sherr
S’ke për t’gjetë kund fisa ma derr,
Ma kryekërcyem e ma bela,
Që ‘i grusht gjind e fukara,
Fytafyt këta me u përla
N’daç me krajl e n’daç me mbret,
Si t’u këcejë ai zekthi i vet.
Këta sot lypin lirinë,
Lypin t’lirë me pas Shqipninë,
E krejt m’veti me u sundue,
T’huejt mbas sotit jo m’u shtrue,
Pagë as t’dhjeta me i pague,
E s’kanë faj; pse tash sa mot,
T’thuesh, shqiptarët lëshue i ke pa zot;
E lëshue u ke ti m’qafë xhahilat,
N’krye t’vendit vu u ke katilat,
E as për t’mjerën mos Shqipnni,
Që ndër lufta për ty asht shkri,
Turk e i k’shtenë, po, gja ndërtue
s’ke der’ m’sot; veçse rrënue,
Djegë e pjekë edhe shkretnue,
Me iu dhimbtë minit n’ murë
E atij gjarpnit për nën gurë.
Prandej vetë kishe me thanë,
Se s’ban keq lirinë me ua dhanë:
Asht ma mirë me i pasun miq
E të lirë, se rob e anmiq;
Pse diçka edhe jam due drashtë,
Se këta ‘i ditë kanë me t’u dashtë
Në mos sot, sugure mot:
Diçka ndiej era barot…”
Padishahi n’atë harem:
“Tungjatjeta, or’ miku i jem,
Se’ mana, mirë je ka thue:
Ashtu m’ndanë puna dhe mue.
Veç asht ‘i hall, ‘or tungjatjeta
Se n’Shqipni, të thuesh, dy t’treta
Të Halisë janë muamedan;
E prandej kjo punë nuk ban.
Pse edhe as dini nuk e jep,
Për pa pasë një t’madh gazep,
Një zalldan, një farë sikletit,
Me u shkepë turku ylqet t’mbretit
E me u ngrehë ai davlet m’veti.
Me gjith’ këta vetimeveti,
Mirë tue u matë e për kadalë,
Do ta baj pleqni këtë fjalë,
Pale ‘i herë si mund t’na dalë;
Se me u ngutë s’e kam zanatë.”
Se rri mbreti tue u matë,
Tue u matë e tue u shmatë,
N’atë harem ai tue gërhatë:
Si tash s’voni e ka zanatë:
Fjala Carit ka shkue n’vesh;
Edhe, besa, ky hundëlesh,
Një as dy nuk ia ka ba,
Por t’asht ngrehë si katalla,
E u ka bëza shkjeve t’Ballkanit:
Sot a kurr’ me i ra Sulltanit!
Sot e kurr’ turkut me i ra,
Turk e shkja sot me u përla;
Se përndryshe ju Shqipnia
E për rreth Maqedonia,
Me sa turku ka tërthore
Këtu n’Evropë, kanë me u dalë dore.
Kur qe turku erdh e u thye,
E u tërhoq e u vu me u kthye,
Krejt la n’gjak e keq shëmtue,
N’atë Stambollë për t’u ngujue.
M’shpinë bullgari atëherë iu shtri;
M’pushkë e m’top m’te m’një tue shti,
Der’ n’ Çatallxhe që ka mbërri,
Prej kah njeri për nën dorë
Lehtë hedh peshën mbrendë n’Stambollë.
Si një lum, që dalë prej amet,
Bjeshkëve bora ortek kah shambet,
E lëshojnë përrojet e malsisë
Depërton gjithkah zallisë:
Kështu atëherë shkjau iu rras Shqipnisë
N’Kaçanik e n’Adriatik,
Veleçik e Salonik,
Tue ndrydhë vendin ndër çapoj:
Vra e pre e lidh n’vargoj,
M’dajak gjinden për dhe shtroj,
Bani plaçkë e trollit dëboj:
Edhe lufta ashtu mbaroi.
Franc Jozefi, kur ka ndie
Se u rras shkjau mbrendë n’atë Shqipni,
Se ç’asht mbushë ai me mëni,
Se edhe fort ç’erdh tue u idhnue
E as s’u mat ma as s’u hutue;
Por çoi n’kambë tetëqind taborre,
Mirë e mprehi atë shpatë mizore,
Mprehi shpatën e mejdanit,
E u çon fjalë shkjeve t’Ballkanit:
“N’krye t’tetë ditëve, tue marrë dielli,
Prej Shqipnisë me dalë ju filli:
A për ndryshe mirë ta dini,
Se, për Zotin, n’shpinë më kini,
E atëherë s’dij se ç’baj mbi ju!”
Rregji i Itales fort asht gëzue.
Franc Jozefit fjalë ka çue:
“Se edhe mue me veti m’ke,
Për t’i rysun këta shkje:
Këta sllav që kanë marrë krye,
Edhe n’shpinë duen me na këcye,
Me na lanë t’dyve pa sy.
Se as e mjera, moj, Shqipni
S’ka kënd mik as kumbari,
Që me hy asaj zot me i dalë
Turrin shkjaut me ia ndalë,
Që, i tërbuem gjithmonë e i egër,
Po do sot m’e ba krejt flegër,
Thue se ai zot asht ba n’Evropë.”
Krajli i Inglizit se ç’asht vra;
Za t’gjashtë Krajlave u ka ba:
“Amanet, mos me pritue,
Në London me na u bashkue,
Për me folë, me kuvendue;
Se Ballkani asht tym e njergull,
E po ban, prit, Zot! ndo’i tjegull
Me na ra kresë edhe ne…
Prej Ballkanit hajr nuk ke!