Përkthyer nga anglishtja (AQ). Teksti spanjisht i shkrimtarit argjentinas Jorge Luis Borges u përkthye në anglisht nga Andrew Hurley. Për fjalët që duken të pakuptueshme – shkoni në fund të kësaj faqeje ku gjendet një listë e shkurtër me sqarime.
Si çdokush tjetër në Babiloni, unë kam qenë prokonsull; si çdokush tjetër kam qenë skllav. Kam qenë i plotfuqishëm, i përbuzur, i burgosur. Shiko këtu – dorës time të djathtë i mungon gishti tregues. Shiko këtu – nëpërmjet kësaj të grisure në pelerinë mund të shohësh një damkë të kuqe mbi barkun tim – është shkronja e dytë, Beth. Në netët me hënë të plotë, kjo shenjë më jep fuqi mbi njerëzit me shenjën Gimel, por më detyron t’u nënshtrohem atyre që kanë shenjën Aleph, të cilët në netët pa hënë duhet t’u binden atyre që kanë shenjën Gimel.Në gjysëmdritën e agimit, në një qilar, duke qëndruar para një altari të zi, unë i kam prerë fytin buajve të shenjtë. Njëherë, për një vit të tërë hënor, unë u deklarova i padukshëm – bërtisja dhe askush nuk përgjigjej, vidhja bukë dhe koka nuk m’u pre. Unë kam njohur diçka që Grekët s’e njihnin – paqartësinë. Në një dhomë prej tunxhi, i përballuar me qetësinë e mbytjes nga shtrëngimi i shallit në grykë, shpresën nuk e humba; në lumin e lumturive nuk notova pa frikë. Heraclides Ponticus thoshte me admirim se Pitagora mbante mend kohën kur kishte qenë Pirro, dhe para se të bëhej Pirro, ishte Euphorbus, dhe më përpara akoma ai kishte qenë dikush tjetër; për të përjetuar ndryshime të tilla, unë s’kam nevojë të vdes e as të shtirem.
Gjithë kjo larmi e përbindshme e imja i detyrohet vetëm një institucioni – Llotarisë – e cila ose është e panjohur në vendet e tjera, ose është e fshehtë, ose jo aq e përsosur. Se si u krijua ky institucion unë nuk e di. As të urtët nuk bien dakort. Sa për qëllimet e llotarisë unë di po aq sa mund të dijë për hënën një njeri që s’merr vesh nga në astrologjia. Vendi im është një vend marramendës ku llotaria luan një rol kryesor në jetën e përditshme; deri më sot pak e kam vrarë mendjen për të, po aq pak sa për sjelljen e zotave të pakuptueshëm ose të zemrës time. Tani që jam larg nga Babilonia dhe zakonet e saj të dashura, mendja më ngatërrohet pak kur mendoj për Llotarinë, dhe për blasfemitë që ca njerëz të maskuar pëshpërisin në gjysëmdritën e agimit ose të mbrëmjes.
Im atë më thoshte se si një herë e një kohë, shumë më përpara – shekuj? vite? – llotaria e Babilonisë ishte një lojë që luhej nga njerëzit e thjeshtë. Ai më thoshte (unë s’e di se sa e vërtetë është kjo) që berberët merrnin monedhat dhe të jepnin drejtkëndësha prej pergameni ose prej kocke, të zbukuruara me simbole. Pastaj, në mes të ditës hidhej shorti; me kaq mbaronte puna e fatit dhe atyre që fitonin u jepeshin monedha argjendi. Siç e shikoni, mënyra e zhvillimit të llotarisë ishte e prapambetur.
Natyrisht, këto të ashtuquajtura “llotari” ishin një dështim. Ato nuk kishin aspak forcë morale; shpresa ishte e vetmja fuqi njerëzore e përdorur nga këto llotari. Për shkak të mosinteresimit të popullit, tregtarët që i organizonin këto llotari filluan të humbisnin lekë. Dikush pastaj shpiku diçka të re: në listën e numrave me fat u futën disa numra të pafat. Pas kësaj shpikjeje, fati i blerësve të drejtkëndëshave me numra ishte i dyfishtë: ata mund të fitonin ose një shumë lekësh, ose një gjobë – nganjëherë gjoba ishte e madhe. Natyrisht, rreziku i vogël (për çdo 30 numra “të mirë” kishte një numër të keq) e shtoi interesimin e popullit. Babilonasit u turrën për të blerë bileta. Ata që nuk blenin konsideroheshin të gjorë e frikacakë e shpirt-tulatur. Më vonë përbuzja ndaj atyre që s’blenin bileta përfshiu edhe ata që blenin bileta humbëse. Kompania (ky ishte emri me të cilin filloi të njihej) duhej të mbronte interesat e fituesve, të cilët nuk do të mund t’i merrnin çmimet e tyre po qe se humbësit nuk i paguanin gjobat plotësisht. Humbësit u hodhën në gjyq: gjykatësi i shpalli fajtorë dhe i detyroi të zgjedhin ose pagesën e plotë të gjobës dhe të harxhimeve të gjyqit, ose qëndrim në burg. Për t’ia hedhur Kompanisë, humbësit të gjithë zgjodhën burgun. Nga kjo dorëheqje e disave buron plotfuqia e Kompanisë – forca e saj metafizike, kishtore.
Më pas, në shpalljet e numrave të llotarisë nuk shkruheshin më fare gjobat por thjesht numri i ditëve të burgut. Kjo kaloi pa u vënë re në atë kohë, por ishte shumë e rëndësishme: Ishte shfaqja e parë e elementeve jomonetare në llotari.Suksesi ishte i madh – me të vërtetë Kompania u detyrua nga lojtarët që t’i shtonte numrat e pafat.
Siç e dinë të gjithë, qytetarët e Babilonisë e admirojnë shumë logjikën, dhe bile edhe simetrinë. Nuk ishte e rregullt që numrat me fat fitonin monedha të rrumbullakta argjendi kurse numrat e pafat fitonin ditë e net në burg. Ca moralistë thoshin që monedhat jo gjithmonë sillnin lumturi, dhe që format e tjera të lumturisë ishin më të drejtpërdrejta.
Lagjet e varfra të qytetit ankoheshin për diçka tjetër. Anëtarët e klasës kishtare luanin llotari shumë, dhe kështu gëzonin më shumë frikë dhe shpresë; të varfërve (zilia e të cilëve ishte e natyrshme, ose e pashmangshme) iu dukej se iu ishte mohuar qasja te rrota e mrekullueshme e fatit. Dëshira e drejtë dhe e arësyeshme e të gjithë burrave dhe grave, e të varfërve dhe të pasurve, për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në llotari, shërbeu si frymëzim për protesta plot zemërim — protesta që mbahen akoma mend. Disa shpirtra kokëfortë nuk mundnin (ose bënin gjoja sikur nuk mundnin) të kuptonin se ky ishte një novus ordo seclorum, një fazë e nevojshme e historisë…. Një skllav vodhi një biletë të kuqe; çmimi që ai fitoi me atë biletë ishte djegia e gjuhës. Ligjet parashikonin të njëjtin ndëshkim për vjedhjen e biletave të llotarisë. Disa nga Babilonasit pastaj thonin se skllavi e meritoi hekurin e nxehtë sepse ishte vjedhës; ata që ishin më shpirtmëdhenj thoshin se gjuha do t’i digjej ngaqë kështu i kishte rënë shorti…. Pati trazira, pati edhe raste gjakderdhjesh për fat të keq, por masat e Babilonisë në fund, me gjithë kundërshtimin e të kamurve, bënë atë që deshën dhe ia arritën qëllimeve të tyre. Së pari, Kompania u detyrua të marrë gjithë pushtetin publik. (Njësimi u bë i nevojshëm për shkak të zgjerimit dhe të ndërlikimit të punës të Kompanisë). Së dyti, Llotaria u bë e fshehtë, pa pagesë, dhe e hapur për të gjithë. Ndërrimi me pagesë i vendeve u ndalua; pasi bëhej i njohur me të fshehtat e zotit Baal, çdo qytetar merrte pjesë në hedhjet e shortit të shenjtë, që bëheshin në labirintet e zotit çdo 60 net dhe që vendosnin fatin e çdo qytetari deri tek shorti tjetër. Pasojat ishin të pallogaritshme. Një short i mirë mund të sillte ngjitje te këshilli i magëve ose burgosje të armiqve (të fshehtë ose të hapur), ose mund të bënte që në gjysëmerrësirën e rehatshme të dhomës të të gjendej në krah gruaja që ka filluar të të rrijë në mendje ose gruaja që nuk e kishe menduar se do ta takoje ndonjëherë; një short i keq: gjymtim, çnderim të shumë llojeve, vdekje. Nganjëherë një ngjarje e vetme – vrasja e C-së në ndonjë tavernë, shenjtërimi i mistershëm i B-së, – ishte rezultat i tridhjetë ose dyzet shorteve. Kombinimi i basteve ishte i vështirë, por ne e dimë që njerëzit e Kompanisë ishin (dhe akoma janë) të gjithëfuqishëm, dhe të zgjuar. Në shumë raste, fuqia e disa nga ngjarjeve të lumtura do ishte më e pakët po të dihej se ato ngjarje ishin thjesht pasojë e fatit; për t’i dalë përpara këtij problemi, njerëzit e Kompanisë përdornin marramendjen, bile edhe magjinë. Rrugët që ata ndiqnin, intrigat e thurura, ishin gjithmonë të fshehta. Për të depërtuar deri tek shpresat dhe frika më e thellë e çdo njeriu, ata thirrën astrologët dhe spiunët. Ca luanë të gurtë, një nevojtore e shenjtë e quajtur Qaphqa, ca të çara në një ujësjellës të pluhurosur – këto vende ofronin hyrje tek Kompania, dhe njerëz të mbarë ose të prapë linin shkrime të fshehta aty. Një listë alfabetike kishte dosjet vërtetësia e të cilave ishte e paqartë.
Pabesueshmërisht, kishte thashetheme për bërje me hatër dhe për korrupsion. Me fshehtësinë e zakonshme, Kompania nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë, por i shkarraviti argumentat në rrënojat e një fabrike maskash. Kjo Mbrojtje tani është një nga Shkrimet e shenjta. Në të, në mënyrë doktrinore thuhej se Llotaria është ndërfutje e fatit në rendin e gjithësisë, dhe pranimi i gabimeve nuk e zvogëlon rolin e fatit, por e forcon atë. Në të gjithashtu thuhej se ata luanët e gurtë, nevojtorja e shenjtë, megjithëse nuk hidheshin poshtë nga Kompania (e cila thoshte se kishte të drejtë të këshillohej me to), nuk kishin ndonjë funksion zyrtar.
Kjo shpallje e qetësoi popullin. Por pati edhe pasoja të tjera të paparashikuara nga shkruesi. Ajo e shndërroi thellësisht si shpirtin edhe mënyrën e punës të Kompanisë. Nuk më ka mbetur shumë kohë; sapo mësuam se anija do fillojë lundrimin – por do përpiqem të sqarohem.
Sado e pamundur që mund të duket, askush deri në atë moment nuk ishte përpjekur që të shkruante një teori të përgjithshme për lojrat. Babilonasve nuk u pëlqejnë hamendjet; ata i binden fatit, dorëzojnë jetët e tyre, shpresat, frikën e tyre pa emër, por nuk u shkon kurrë në mendje që të zhyten në ligjet e koklavitura ose në rruzujt rrotullues që e pasqyrojnë atë. Prapëseprapë, shpallja gjysëmzyrtare e përmendur më sipër frymëzoi debate të shumta të natyrës ligjore dhe matematike. Nga njëri nga këto doli ideja e mëposhtme: Në qoftë se Llotaria është një intensifikim i fatit, një spërkatje e fatit në gjithësi, atëherë a nuk është me vend që fati të bëhet pjesë e çdo hapi të short-hedhjes? A nuk është qesharake që fati vendos vdekjen e një njeriu, ndërsa rrethanat e vdekjes – në vetmi apo me njerëz të tjerë rreth e rrotull, zgjat një orë apo një shekull – nuk janë të përcaktuara nga fati?Këto vërejtje me vend më në fund u bënë shkak për reforma të thella; sistemi i ri ishte i ndërlikuar (ndërlikim i shtuar edhe më shumë nga vjetërsia shekullore e Llotarisë) dhe vetëm një dorë specialistësh e kuptojnë se si punon, por unë do përpiqem të bëj një përmbledhje, edhe pse mund të jetë vetëm simbolike.
Le të imagjinojmë një short të parë që e dënon një njeri me vdekje. Për të zbatuar atë vendim hidhet një short tjetër; ta zëmë se si pasojë e shortit të dytë kemi nëntë mundësi për të zgjedhur xhelatin. Nga nëntë xhelatët, katër mundet që të hedhin një short tjetër për të përcaktuar emrin e atij që do kryejë vrasjen, dy mund të zëvendësojnë shortin e pafat me një short të mirë (p.sh. zbulimi i një thesari), njëri mund të vendosë që vdekja të bëhet më e rëndë (vdekje me çnderim, ose me torturë të rëndë), të tjerët mundet që thjesht të mos pranojnë zbatimin e dënimit…. Kjo është ideja e Llotarisë, në mënyrë simbolike.Në të vërtetë, numri i shorteve është i pafund. Asnjë vendim nuk është i formës të prerë; për çdo vendim merret një vendim tjetër. Të paditurit pandehin se shortet e pafund kërkojnë kohë të pafundme; në të vërtetë, mjafton që koha të ndahet në copëza pafundësisht të vogla, si në përrallën e famshme të Garës me Breshkë. Ky pambarim përkon mirë me me natyrën e përdredhur të Fatit, dhe me llojin qiellor të Llotarisë të dëshiruar nga Platonikët…. Një jehonë e shfytyruar e zakonit tonë duket se ka arritur Tibrin: Në librin e tij Jeta e Antoninus Heliogabalus, Æelius Lampridiusi na tregon se perandori e shkroi fatin e miqve që kishte për darkë në guacka – disa do merrnin dhjetë kile flori; të tjerët dhjetë miza, dhjetë minj, dhjetë arinj. Duhet mbajtur mend se Heliogabalusi u rrit në Azinë e vogël, mes priftërinjve me të njëjtin emër.
Disa nga shortet s’kanë të bëjnë me njerëzit dhe qëllimi i tyre s’dihet. Një nga shortet vendosi që një safir të hidhet në ujrat eEufratit; një tjetër vendosi që një zog të lëshohet nga maja e një kulle; një tjetër vendosi që çdo 100 vjet një grimcë rëre t’i shtohet (ose t’i hiqet) një plazhi. Nganjëherë pasojat janë të tmerrshme.
Nën ndikimin e mbarë të Kompanisë, zakonet tona tani vendosen nga fati. Blerësi i ndonjë dyzine qypash me verë Damasku nuk habitet nëse njëri nga qypat ka një talisman, ose një nepërkë; shkruesi i kontratave kurrë nuk harron që të përfshijë ndonjë gabim në to; unë vetë, në këtë shkrim të nxituar kam harruar ndonjë mrekulli, ndonjë krim mbase, dhe ndonjë monotoni të pakuptueshme…. Historianët tanë, më të mençurit e planetit, kanë shpikur një metodë për të korrigjuar fatin; dihet që rezultatet e kësaj metode janë (në përgjithësi) të besueshme – megjithëse, natyrisht, ato kurrë nuk shpallen pa një dozë mashtrimi. Po nejse, asgjë nuk është përlyer me trillim më shumë se historia e Kompanisë…. Dokumentet antike të zbuluara në një tempull diku mund të jenë rezultat i shortit të djeshëm ose i një shorti të para disa shekujve. Asnjë libër nuk botohet pa pak mospërputhje midis kopjeve të ndryshme të botimit. Shkruesit bëjnë një betim të fshehtë që të lënë pa shkruar, të shtojnë, të ndryshojnë. Fallsifikimi jo i drejtpërdrejtë gjithashtu praktikohet.
Kompania, me modesti hyjnore, i shmanget vëmendjes të publikut. Njerëzit e saj natyrisht veprojnë fshehtas; udhëzimet që gjithmonë (mbase vazhdimisht) lëshon nuk kanë ndryshim nga udhëzimet gënjeshtërta të lëshuara në masë nga ca të shtirë. Kush e thotë me gojën e vet se po shtiret? I dehuri që lëshon një urdhër të marrë, i fjeturi që ngrihet nga gjumi dhe i merr frymën dhe e vdes gruan që i fle në krah – mbase ata po zbatojnë një nga vendimet e fshehta të Kompanisë? Kjo punë e pafjalë, si puna e Zotit, nxit lloj-lloj hamendjesh. Disa thonë se Kompania pushoi së egzistuari qindra vjet më parë dhe rrëmuja e shenjtë e jetëve tona është thjesht e trashëguar; disa të tjerë besojnë se Kompania është e përjetshme dhe se do qëndrojë deri në natën e fundit, kur zoti i fundit do ta bëjë botën hi. Një teori tjetër thotë që Kompania është e gjithëfuqishme, por që merret vetëm me gjëra të vogla: kënga e zogjve, ngjyra e ndryshkut, gjysëmëndërrat e agimit. Një tjetër, e pëshpëritur nga stërheretikë me maska, thotë që Kompania nuk ka egzistuar kurrë dhe kurrë nuk do egzistojë. Një teori tjetër, po aq e përbuzshme, pretendon se nuk ka rëndësi nëse të qenit e korporatës të fshehtë pranohet ose mohohet, sepse Babilonia nuk është gjë tjetër veçse një lojë e pafundme e fatit.
Fjalorth i Babilonisë
Aleph: shkronja e parë e alfabetit hebre; nganjëherë përdoret si simbol i krejt gjithësisë.
Baal, Bel: fjalë e gjuhëve semitike që do të thotë “Zot”; zot i pjellorisë për disa kultura pagane të lindjes të mesme.
Beth: shkronja e dytë e alfabetit hebre; është letra e parë e Biblës, dhe shpesh shërben si simbol i dyanshmërisë të gjithësisë (qiejt dhe toka).
Gimel, Ghimel: shkronja e tretë e alfabetit hebre.
Magi: “Burrat e zgjuar” që i sollën dhurata Krishtit në Bethlehem.
Novus ordo seclorum: “Rendi i ri i shekujve”, në latinisht. Kartmonedhat amerikane 1-dollarëshe kanë të njëjtin shënim në njërën anë.
Qaphqa: Emri i Franz Kafka-s është shkruar në një mënyrë që e bën të duket si emër arab.
Taprobana: Minierë gurësh të çmuar në Sri Lanka.
Tiber: Lum në qendër të Italisë; Roma gjendet në breg të këtij lumi.