Eksodi

    Pjesë nga libri The making of the Atomic Bomb i autorit Richard Rhodes. Fragmentet e mëposhtme janë marrë nga kapitulli i quajtur Exodus, në të cilin përshkruhet ikja e një numri të madh shkencëtarësh dhe teknikësh hebrej nga Europa për në Amerikë. Pjesa që zgjodha të përkthej fillon me përshkrimin e pogromeve ruse.

    Revolucionarët – një grup që vetëquhej “Vullneti i popullit” – i bënë atentat dhe e vranë carin Aleksandër në 13 mars 1881 me bombë në mes të ditës në një nga rrugët kryesore të Shën Peterburgut, kur ai po kthehej në shtëpi pasi i kishte bërë revistë Rojeve Perandorake. Një nga anëtarët e “Vullnetit popullor” qëlloi që ishte hebre, por ai nuk kishte qenë i përfshirë në planin e atentatit ndaj carit; megjithatë, kaq mjaftoi që në rrëmujën që pasoi atentatin faji t’u hidhej çifutëve. Filloi pastaj një valë pogromesh – kjo fjalë interesante ruse i referohet dhunës të një grupi ndaj një grupi tjetër – që zgjati deri në vitin 1884. “Rrëmujat çifute”, kështu i emërtoi cari i ri, Aleksandri III, këto sulme vrasëse të turmave të dehura ndaj vendbanimeve çifute. Autoritetet i përkrahën herë aktivisht dhe herë heshtur këto sulme ndaj çifutëve. Mbi dyqind komunitete çifute e pësuan. Vala e parë e pogromeve – të tjera do pasonin në dhjetëvjeçarët e mëvonshëm – ktheu në të pastrehë 20000 çifutë. Gratë e tyre u përdhunuan, familje të tëra u vranë. Qeveria ua hodhi fajin e dhunës anarkistëve dhe vendosi që edhe çifutët “e dobishëm” t’i riinternonte.
    Bashkë me pogromet erdhën dhe Ligjet e Majit, te vitit 1882, që i anulluan reformat liberalizuese të mëparshme dhe që vendosën kufizime të reja. Nga viti 1881 deri në 1900 mbi një milion hebrenj emigruan nga Rusia dhe nga Europa qendrore për në Shtetet e Bashkuara. Edhe një milion e gjysëm të tjerë emigruan nga viti 1900 deri në 1920. Një numër mjaft më i vogël emigrantësh, si Chaim Weizmann-i, zgjodhën Europën Perëndimore dhe Anglinë. Këta të fundit hasën një ambient më pak mikpritës dhe antisemitizëm më të theksuar se emigrantët që shkuan në Amerikë.
    Një nga burimet më të rëndësishme të antisemitizmit gjerman në vitetpas luftës të parë botërore ka qenë fallsifikimi i çuditshëm që njihet si Protokollet e pleqve të Zionit. Adolf Hitleri i mori Protokollet si një program për sundim të botës. “Unë i kam lexuar Protokollet e pleqve të Zionit“, i pati thënë Hitleri njërit prej pasuesve të vet; “është e pabesueshme hajdutëria dhe kudogjendja e kundërshtarëve tanë! E kopjova dhe e përshtata për veten tonë programin, natyrisht.” Heinrich Himmler-i e konfirmon lidhjen: “Artin e qeverisjes tonë ua kemi borxh çifutëve”. E kishte fjalën për Protokollet që “Fyhreri i kishte mësuar përmendsh”.
    “Protokollet” që ishin krijim i rusëve, janë pikëlidhja midis antisemitizmit rus me antisemitizmin e Gjermanisë, ku fare pak çifutë rronin – vetëm 500000 në 1933, më pak se 1% e popullsisë të Gjermanisë. Armiqësia ruse ndaj çifutëve i ka rrënjët në konfliktin fetar, në krahasim me antisemitizmin gjerman, i cili kishte nevojë për një mit laik. Një autodidakt i pafe dhe gjysëm i arsimuar si Hitleri kishte nevojë për një strukturë mbi të cilën të varte antisemitizmin e vet patologjik. Antisemitizmi gjerman mund të kishte gjetur mbështetje në vepra më të hershme – kompozitori Richard Wagner ishte një nga të parapëlqyerit e Hitlerit – por ndodhi që Protokollet arritën në një moment të përshtatshëm dhe zunë një pozicion të dukshëm. Në vitet ’20 dhe ’30, miliona kopje botimesh dhe përkthimesh të ndryshme u shitën anembanë botës.
    Libri është i organizuar në formë leksionesh dhe fillon në mes të një fjalie, vendvendosja e ngjarjeve e paditur, sikur t’u ishte hequr nga duart autorëve. Për t’i dhënë lexuesit prapafushën e nevojshme, botuesit zakonisht bashkëngjisnin materiale shpjeguese. Shumë shpesh, si hyrje përdorej kapitulli me titullin “Në varrezën çifute në Pragë”, i romanit Biarritz, i shkruar prej një postieri gjerman. Botuesit e ofronin këtë trillim njëlloj si trillimin e vetë Protokolleve, si fakt. Historiani Norman Cohn jep një përmbledhje:

    Në orën 11 portat e varrezës u hapën me kërcitje dhe filloi të dëgjohej fëshfërima e palltove të gjata. Një hije e bardhë i ra përmes varrezës derisa arriti te varri që kërkonte; atje u ul në gjunjë, preku gurin e varrit tre herë me ballin e vet, dhe pëshpëriti një lutje. Pas pak arriti dhe një figurë tjetër, duke u kollitur dhe psherëtirë; ishte një plak i çalë. Edhe ai zuri vend ngjitur me hijen e parë, u ul në gjunjë, dhe pëshpëriti një lutje…. E gjithë kjo u përsërit trembëdhjetë herë. Kur arriti i trembëdhjeti dhe i fundit, ra ora që lajmëroi mesnatën. Në atë moment nga varri u dëgjua një tingull metalik. Pastaj u ndez një flakë blu që ndriçoi trembëdhjetë figurat. Një zë si prej boshllëku që erdhi nga figura e trembëdhjetë tha: “Ju përshëndes kryetarë të dymbëdhjetë fiseve të Izraelit”. Po fliste Djalli; figurat u përgjigjën: “Të përshëndesim o bir i të mallkuarit”.

    Pas kësaj hyrjeje fillojnë Protokollet. Janë njëzet e katër gjithsej – rreth tetëdhjetë faqe në formë libri.
    . . . .

    Kontributi rus ndaj antisemitizmit gjerman u kopjua nga një satirë politike e titulluar Dialogë nga Ferri mes Montesquieu-së dhe Macchiavelli-t që ishte shkruar prej një avokati francez të quajtur Maurice Joly, botuar për herë të parë në Bruksel në 1864. Në atë libër, Montesquieu mban anën e liberalizmit dhe Macchiavelli mbron despotizmin. Sajimi i Protokolleve ka shumë të ngjarë të jetë vepra e kreut të policisë sekrete të carit jashtë Rusisë, një agjent rus në Paris i quajtur Pjotr Ivanoviç Raçkovski. Raçkovski i mori fjalët e Macchiavelli-t pa i ndërruar fare dhe i vuri në gojët e një këshilli sekret çifut; kjo me qëllim që të diskreditonte liberalizmin rus duke e paraqitur si të nxitur e të kontrolluar nga çifutët. Ishte një gazetë e Shën Peterburgut që botoi e para një nga versionet e Protokolleve në 1903. Protokollet ishin një nga tre librat që u gjetën mes zotërimeve të carinës Aleksandra Fjodorovna në Jekaterinburg kur ajo u vra nga komunistët në 17 korrik 1918 – dy librat e tjerë ishin Bibla dhe Lufta dhe Paqja.
    Kjo koincidencë i ktheu Protokollet prapë në Europën Perëndimore. Një i quajtur Fjodor Vinberg, që kishte qenë kolonel në Rojet Perandorake ruse, i përktheu dhe i botoi në gjermanisht. Carina kishte qenë kolonele nderi në regjimentin e Vinberg-ut, dhe ai e adhuronte. Vinberg-u u arratis për në Gjermani në fund të luftës të parë botërore i bindur se vrasësit e carinës ishin çifutë. Hakmarrja ndaj çifutëve u kthye në qëllim të jetës të tij. Ai ishte shok me këshilltarët e Hitlerit, veçanërisht me “filozofin” e partisë naziste, Alfred Rosenberg, që kishte lindur dhe ai në Rusi.