Dëshirë

    I

    Kush lë mikenë që ka
    Edhe ndahetë me shokë
    Për të fituar para,
    nuk i ka mëndë në kokë.
    Ikni more të mjerë,
    Ikni deti tek t’u nxjerrë,
    Se për mua dashuria,
    Ara, vreshti dhe shtëpia
    më bëjnë të rroj me gas,
    Se s’dua të lë gjë pas.
    S’dua të iki si përpara,
    Dua të rroj nëpër ara,
    Mikja pranë të më ketë,
    të punoj aratë vetë.
    Fatmirosh, mot e nga mot
    Grur’ e misër të kem plot,
    Të kem raki, të kem verë
    të ëmbëlë si sheqerë.
    Të vete me bagëti,
    Me qe, me dhën e me dhi,
    Dhe t’i shpie rrëzë malit,
    Të hanë majën e barit;
    Dhe kur të pjellë një dhi
    Do t’i vë kecnë në gji.
    Nuk iki nga Shqipëria
    Si punojn’ ata që s’dinë,
    Mos e dhëntë perëndia,
    Të ndahem me dashurinë,
    Sa të mund të rroj me pak,
    Po këtu të bëhem plak.
    Dhe në vuaj, le të vuaj,
    Të mos vdes në vënd të huaj!
    Të shoh mëmën e babanë,
    Të kem dhe motratë pranë,
    Dhe kur të vdes të më qajnë
    Pas zakoneve që kanë:
    Të më marrënë në duar,
    Të qajnë me lesh lëshuar,
    Dhe mikia, kur të vijë,
    Të qaj’ e të ulërijë.

    II

    Ku janë vaftet e parë,
    Stërgjyshët sa mirë qenë
    Shkonin jetën pa ndarë
    Edhe dojnin mëmëdhenë.
    S’kish pampor e s’kish gjemi.
    Nukë vinin të fitonin,
    Atdhenë s’e lij njeri,
    Po punonin edhe shkonin.
    Kau nukë kishte zgjedhë,
    As fre për kalin e fortë,
    Dhe ai s’kish njeri të vjedhë,
    Shtëpitë qenë pa portë.
    Aratë s’kishnin sinuar,
    S’kish të pasur e të varfër,
    Dheu qe i lulëzuar,
    Kafsh e njerz rronin të afër.
    Nukë kishte njerz të liq,
    Se lufta s’kishte dhe dalë
    Gjithë bota qenë miq,
    Qenë vëllezër në ballë.
    Po tani, zot i vërtetë,
    Njeriu ngjan me arinë!
    Nukë hiqetë kjo jetë,
    Se njeriu ha njerinë!
    Sot s’mbretëron dashuria,
    Nukë kemi dashuri,
    S’na mbeti as trimëria,
    Sot rrojmë në robëri.

    III

    Sot e tutje në shtëpi
    Mikia të mbretërojë,
    Cilido nga miqt’ e mi
    Për zonjë duhet ta njojë.
    Kur të vete nëpër ara,
    Kur të korr e kur të mbjell,
    Të kem mikenë përpara,
    Kur të shij e kur të vjel,
    Dhe në stan, kur të më shojë,
    Me qe, me dhën e me dhi,
    Mikia t’i numërojë
    S’e mos m’i vjedhë njeri.
    Të më zbukurojë stanë,
    Të bëjë djathë të butë,
    T’u hedhë qenve të hanë,
    Të na ruajn’ nga hajdutë.
    Edhe nata kur të vijë
    Të marr mikenë në gji. . .
    Dhe hënëza të na ndrijë
    Dhe të na kenë zili.