Heloise, 17 vjeç, mbesa e një kleriku në Paris, iu besua për mësime private murgut mashkull Peter Abelard, 39 vjeç. Mësuesin dhe nxënësen i zuri qymyri keq, Heloise bëri dhe një bebe, dhe prandaj të dy shkuan dhe u martuan – fshehtas. Fshehtas që të mos demtohej karriera e Abelardit.
Kur e mori vesh këtë pune i ungji i mademoiselle Heloise, ai u nxeh, iu ngritën ca nervat, dhe shpuri njerëz që ta kapnin Abelardin. Puna përfundoi me të tredhur për të shkretin Abelard. Merret me mend se kjo ka qenë fort e dhimbshme, dhe jo vetëm poetikisht: anestetikët kanë hyrë në përdorim rreth 700 vjet më vonë.
Heloise dhe Abelard i ruajtën lidhjet me njëri-tjetrin, dhe janë edhe të varrosur bashkë. Çdo libër i historisë të qytetërimit perëndimor përmend emrin e Abelardit, që është i njohur si filozof e teolog, etj. Historia e këtyre të dyve është e dokumentuar në letrat që ata kanë shkëmbyer dhe që janë të ruajtura. Është zbavitëse kur i lexon dhe shikon sa ndryshe ka qenë bota njëherë e një kohë. Njëkohësisht, të bren dyshimi, se mos e vetmja dashuri e përjetshme është një dashuri që është e parealizueshme, e pamundur. Më poshtë është një fragment nga një leter që Heloise ia shkroi të dashurit të saj të tredhur:
“Ajo që ma shton më shumë dhembjen është se vuajtjet tona filluan në një kohë kur ne nuk i meritonim më ato. Kur ne iu dhamë Kënaqësisë të Dashurisë Kriminale, asgjë nuk mund ta justifikonte dot Lumturinë tonë të pistë. Por kur ne më në fund e pastruam pasionin tonë, kur gjetëm strehim tek Martesa për t’iu shmangur brejtjes të ndërgjegjes, pikërisht atëherë i gjithë zemërimi i Qiellit u derdh mbi ne.
Sa i rëndë ishte ai ndëshkim që ra mbi ty… Kur e kujtoj më ngjethet mishi nga tmerri. A do të mundte një burrë i zemëruar ta ndëshkonte më shumë sesa kaq maskaranë qe i çnderoi gruan? Ah! Çfarë të drejtash kishte një xhaxha mizor për të bërë atë që bëri? Ne u martuam edhe në Altar, dhe ai Altar duhej të të kishte mbrojtur ty nga zemërimi i armiqve të tu.
….
Në këtë situatë ti re Viktimë e Dashurisë më të Pafat. Ti i vetëm pagove për krimin e bërë nga të dy ne bashkë. Po une s’kam pse të ankohem për zemërimin e atyre që të dëmtuan ty. Unë, mizerja unë, unë jam ajo që shkaktova shkatërrimin tend. Zot i madh! Sa e rrezikshme është kur një Njeri i Madh ngacmohet nga Seksi jonë! Ai duhet të mësohet që në fëmijëri që të behet i pandjeshëm në zemër, që t’u rezistojë joshjeve me të cilat është pajisur femra. Ai më i mençuri i të mençurve pati thënë ‘Biri im, ndiq urdhrat që po të jap unë: Në qoftë se një Grua e bukur të afrohet dhe kërkon të të joshë, mos e lejo që ajo të të korruptojë; mos e prano helmin që ajo të ofron, mos lejo që ajo të të shtjerë në rrugë pa krye; Shtëpia e saj është Shtëpia e Shkatërrimit dhe e Vdekjes.'”